14-vjeçari vdes pas therjes me thikë në Prizren, arrestohet 17-vjeçari
Një 14-vjeçar ka vdekur pasi është therur me thikë në Prizren, ndërsa Policia ka arrestuar një 17-vjeçar të dyshuar për rastin.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, më 27 gusht, rreth orës 23:45, Policia ka pranuar informatë për incidentin. Patrulla policore ka dalë në vendngjarje, ku ka gjetur ekipin e Emergjencës duke i dhënë ndihmën e parë të miturit.
Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm, por, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk ka arritur t’u përballojë plagëve dhe ka vdekur.
Bytyqi ka bërë të ditur se një i dyshuar 17-vjeçar është identifikuar dhe arrestuar pak më larg vendit të ngjarjes. Rasti është konfirmuar nga Policia, ndërsa të dhënat e tjera për rrethanat e incidentit nuk janë bërë të ditura në informacionin paraprak.