Foto: Tri kompani pezullojnë nga nesër linjat e autobusëve drejt Prishtinës

Tri kompani pezullojnë nga nesër linjat e autobusëve drejt Prishtinës

Sipas njoftimit të përbashkët të kompanive, PEP Trans, Egzoni Tours dhe Eni Trans SH.P.K do të pezullojnë përkohësisht nga 19.08.2026 shërbimin e transportit në disa linja që lidhin fshatrat e Fushë Kosovës me Prishtinën.

Linjat e prekura të përmendura në njoftime janë: Grabovc, Prishtinë, Grabovc, Harilaq, Prishtinë, Harilaq, Hencë, Prishtinë, Hencë dhe Miradi e Epërme, Prishtinë, Miradi e Epërme.

Kompanitë kanë bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të vështirësive të mëdha financiare dhe pamundësisë për të përballuar shpenzimet e karburantit dhe kostot e tjera operative.

Në njoftime thuhet se kjo ndërprerje do të vështirësojë lëvizjen e përditshme të banorëve të këtyre lokaliteteve, veçanërisht atyre që udhëtojnë drejt Prishtinës për punë, shkollim dhe shërbime të tjera.

Kompanitë kërkojnë nga institucionet kompetente që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje për rifillimin e shërbimit, ndërsa deri atëherë banorët duhet të kërkojnë alternativa të tjera të transportit.