Foto: Takim Kurti-Ulutash: diskutuan për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Takim Kurti-Ulutash: diskutuan për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti priti në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Zyra e Kryeministrit (ZKM) njoftoi se takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të vazhdueshme dhe të koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s.

Gjatë bisedimeve u diskutua situata e sigurisë në vend dhe në rajon. U trajtuan edhe çështjet e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm me KFOR-in dhe theksoi gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim të ngushtë, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

Sipas njoftimit zyrtar, Kurti falënderoi komandantin Ulutash për kontributin dhe për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e vendit.