Foto: Sot nga 11:00-17:30 ndalohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhë

Sot nga 11:00-17:30 ndalohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoi se sot do të vendoset kufizim i përkohshëm për qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë, nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta që parashikohen të arrijnë deri në 32°C ose më shumë.

Sipas njoftimit, masa zbatohet vetëm në autoudhë; rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse do të lejohen pa pengesa. Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimet emergjente si dhe automjetet e institucioneve shëndetësore.

Ministria i ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që ta respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë transportin e mallrave jashtë intervalit të përcaktuar. Sipas njoftimit, masa synon të shmangë dëmtimin e mundshëm të infrastrukturës rrugore gjatë periudhës së nxehtësisë.