Drita me trajner të ri synon hap drejt play-off, përballet sonte me Tre Fiori
Drita rikthehet sonte në skenën evropiane për t’u përballur me skuadrën nga San Marino, Tre Fiori, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Takimi zhvillohet në stadiumin “San Marino” në Serravalle dhe nis në orën 21:00.
Si kampione e Kosovës, Drita synon të bëjë një hap të rëndësishëm drejt fazës “play-off” të garës, një objektiv që klubi e ka vendosur si prioritet për këtë sfidë evropiane.
Vetëm pak ditë më parë, drejtuesit e klubit i dhanë fund bashkëpunimit me trajnerin Zekirija Ramadani, pas më shumë se dy vite e gjysmë bashkëpunim.
Drejtimin e skuadrës për këtë përballje e ka marrë Visar Shemxhaj, i cili do ta udhëheqë ekipin në këtë sfidë evropiane. Nga kampi bardhekaltër theksojnë se ekipi do të dalë në fushë me krenari, përqendrim dhe besim, duke kërkuar një rezultat pozitiv që përputhet me synimin për play-off.