Marshi për Liri mbahet më 12 shtator në Prishtinë
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë vizituar Shoqatën e të Burgosurve Politikë për të diskutuar organizimin e “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Marshi do të zhvillohet nën moton “Kosova po pret” dhe synon mobilizimin qytetar në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, katër ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për një organizim gjithëqytetar, përtej dallimeve politike. Tasholli ka thënë se mbështetja e ish-të burgosurve politikë për marshin ka rëndësi të veçantë, duke e lidhur atë me përvojën e tyre në përpjekjet për lirinë e Kosovës.
Delegacioni i platformës është pritur nga kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, kryetari i shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Gjini, si dhe anëtarë të kryesisë dhe të shoqatës.