Foto ilustruese: Mirlind Daku prezantohet te Spartaku i Moskës: Erdha për trofe

Mirlind Daku prezantohet te Spartaku i Moskës: Erdha për trofe

Mirlind Daku u prezantua zyrtarisht si lojtar i Spartakut të Moskës. Në prezantimin e tij ai deklaroi se erdhi te klubi për të fituar trofe.

Në intervistën e tij të parë si pjesë e Spartakut, Daku tha se transferimi te gjiganti rus ishte një vendim i lehtë dhe një hap i madh në karrierën e tij.

Sulmuesi tregoi se kishte vendosur prej kohësh: nëse do të largohej nga Rubin Kazani, destinacioni i vetëm do të ishte Spartaku. Ai shtoi se atmosfera e krijuar nga tifozët e Spartakut ishte arsyeja kryesore që e bindi të pranonte ofertën.

Daku falënderoi për mikpritjen, duke thënë: “Faleminderit për mikpritjen. Ky është një hap i madh në karrierën time.” Ai gjithashtu deklaroi se drejtuesi sportiv Francis Cagigao dhe trajneri Juan Carlos Carcedo i shprehën besim të madh.

Sulmuesi pranoi se nuk kishte fituar ende asnjë trofe në karrierë. Ai tha se kishte edhe oferta të tjera, por zgjodhi “klubin më të madh në Rusi” për të tentuar të shkruante histori dhe për të marrë trofe me Spartakun.