Dy kongresistë amerikanë paralajmërojnë Vuçiqin për korrupsionin dhe rrezikun e sanksioneve
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është paralajmëruar nga dy ligjvënës amerikanë se mund të përballet me sanksione nëse nuk ndërmerr hapa kundër korrupsionit dhe nuk kufizon lidhjet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Paralajmërimi është bërë nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, anëtarë të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Të enjten, anëtarët e këtij komiteti kanë prezantuar projektligjin dypartiak të emërtuar “SRBIJA Act”. Nisma parashikon sanksione dhe ndalime vizash ndaj personave që minojnë demokracinë, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor.
Sipas përmbajtjes së nismës, masat e mundshme lidhen me kërkesën që Beogradi të luftojë korrupsionin dhe të rishikojë lidhjet me fuqitë që përmenden në paralajmërimin e ligjvënësve amerikanë.