IKD paralajmëron humbjen e 166 milionë eurove për Kosovën
Kosova rrezikon të humbë 166 milionë euro nëse deri në fund të vitit nuk formohen institucionet, ka paralajmëruar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Sipas institutit, mungesa e institucioneve të formuara dhe funksionale mund ta rrezikojë përfitimin nga fondet evropiane.
Paralajmërimi lidhet me një pjesë të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. IKD vlerëson se vazhdimi i situatës pa institucione funksionale mund t’i kushtojë Kosovës një shumë të konsiderueshme financiare.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, ka thënë se pasojat e mosformimit të institucioneve janë të mëdha dhe në disa raste mund të jenë edhe të pariparueshme. Ai i bëri këto komente gjatë vlerësimit të situatës politike dhe mundësisë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.