Ndeshja Shqipëri-Bjellorusi, bllokohen rrugët pranë stadiumit në Tiranë
Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për sigurinë dhe qarkullimin në Tiranë, në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi. Takimi zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, ndërsa kufizimet në trafik nisin disa orë më herët.
Nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa akse pranë stadiumit. Në mesin e rrugëve të prekura janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali” dhe “Abdyl Frashëri”.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve. Tifozëve që do ta ndjekin ndeshjen në stadium u është kërkuar të paraqiten që nga ora 18:30, për të shmangur radhët dhe vonesat gjatë hyrjes. Para hyrjes, ata do t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë.