Policia gjen armë e municion në veri, arrestohet një person
Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera gjatë bastisjeve në dy lokacione në veri të vendit. Në lidhje me rastin është arrestuar një person.
Kontrollet janë zhvilluar më 27 shtator në fshatin Dren të Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, pas informatave se në këto lokacione mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Në Dren, gjatë kontrollit në një objekt që përdorej si stallë, janë gjetur një armë përsëritëse M-56 dhe dy pistoleta, një CZ-99 e një CZ Mod-70. Po ashtu, janë sekuestruar 139 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Gjatë bastisjeve janë gjetur edhe uniforma ushtarake me emblemë serbe, si dhe pajisje të tjera. Detajet janë bërë të ditura në njoftimin e Policisë së Kosovës për kontrollet e kryera në veri.