KOS-CERT tregon si të rikthehen llogaritë e WhatsApp-it
KOS-CERT ka reaguar pas rasteve të raportuara lidhur me llogaritë e WhatsApp-it në Kosovë, duke njoftuar se po i analizon ato dhe është në komunikim me institucionet relevante për trajtimin e tyre.
Për përdoruesit që kanë mbetur pa qasje në llogarinë e tyre, KOS-CERT ka kërkuar që rasti të paraqitet përmes formularit zyrtar të WhatsApp-it. Në formular duhet të specifikohen numri i telefonit, problemi i hasur dhe data kur ka ndodhur.
Njësia për Siguri Kibernetike ka rekomanduar gjithashtu që aplikacioni WhatsApp të përditësohet në versionin më të fundit. Përdoruesve u është kërkuar edhe aktivizimi i verifikimit me dy hapa, i njohur si “Two-Step Verification”.
Sipas udhëzimeve të KOS-CERT, ky verifikim përfshin vendosjen e një PIN-i gjashtëshifror, si masë shtesë për mbrojtjen e llogarisë.