Fruthi rikthehet në Kosovë, Vitia u bën thirrje prindërve për vaksinimin e fëmijëve
Fruthi është rikthyer në Kosovë, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje prindërve të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të jenë të mbrojtur.
Vitia e ka bërë këtë thirrje përmes një video-adresimi, ku ka theksuar se vaksinimi është mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen nga fruthi.
Sipas ministrit, fruthi mund të shkaktojë komplikime dhe telashe shëndetësore. Ai ka kërkuar vëmendje, përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Thirrja vjen pas rritjes së rasteve të fruthit në Kosovë. Prindërit janë udhëzuar të verifikojnë nëse fëmijët e tyre i kanë marrë vaksinat përkatëse dhe të sigurohen që ata të jenë të vaksinuar.