Dua Lipa fiton betejën ligjore dhe merr domenin që përdorte emrin e saj
Dua Lipa ka fituar një betejë ligjore për përdorimin e paautorizuar të emrit të saj në një faqe interneti që shiste veshje dhe aksesorë. Pas vendimit, domeni i faqes ka kaluar nën kontrollin e kompanisë së artistes.
Domeni dualipa-asiastore.com ishte regjistruar nga një person i identifikuar si Gary, i cili e përdorte për të promovuar dhe shitur produkte të ndryshme, përfshirë veshje, çanta dhe aksesorë. Faqja krijonte përshtypjen se kishte lidhje me këngëtaren.
Për këtë rast, Dua Lipa iu drejtua Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila shqyrtoi ankesën dhe vendosi në favor të saj. Sipas vendimit, domeni ishte regjistruar dhe përdorur në keqbesim, ndaj u urdhërua transferimi i tij te kompania e artistes.