Albion Ferati mban pozitë drejtuese në TEB pas largimit nga Raiffeisen
Albion Ferati, i cili u largua nga Raiffeisen pas një skandali, aktualisht mban pozitën drejtuese Head of Accounting në TEB Bank. Ky zhvillim ngre pyetje për mënyrën se si verifikohet e kaluara e një punonjësi dhe çfarë garancish kanë klientët për mbrojtjen e të dhënave të tyre bankare.
Rasti lidhet me dyshimet për qasje dhe shpërndarje të paautorizuar të të dhënave bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Sipas deklarimeve të Komunës së Prishtinës, një punonjës i Raiffeisen Bank kishte hyrë pa autorizim në llogarinë e Ramës dhe kishte shpërndarë të dhëna për gjendjen dhe transaksionet e tij financiare.
Komuna ka deklaruar se banka e kishte identifikuar punonjësin përgjegjës për rastin. Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit ka autorizuar veprime parahetimore lidhur me këto dyshime.
Zhvillimi rikthen në vëmendje përgjegjësinë e bankave për verifikimin e punonjësve që ushtrojnë funksione drejtuese dhe pyetjen se çfarë informacioni duhet të kenë klientët kur një person i përmendur në një skandal të dyshuar për cenim të privatësisë bankare kalon në një institucion tjetër financiar.