Në Onkologjinë e QKUK-së nis aplikimi i teknikës SBRT
Në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka nisur aplikimi i teknikës së avancuar të radioterapisë SBRT për trajtimin e pacientëve me kancer. Procedura po realizohet përmes akseleratorit linear Elekta Versa HD.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e ka cilësuar këtë zhvillim si një avancim të rëndësishëm në trajtimin e pacientëve me kancer.
Sipas njoftimit të Vitisë, SBRT mundëson trajtim më të saktë të tumoreve, duke ofruar mbrojtje më të madhe për indet e shëndosha përreth. Për pacientët që janë të përshtatshëm për këtë trajtim, teknika mund të ulë edhe numrin e seancave të radioterapisë.
Vitia e ka përshkruar nisjen e aplikimit të SBRT-së si një hap konkret drejt avancimit të shërbimeve onkologjike në sistemin publik shëndetësor.