Foto: Tre anëtarë të një familjeje nga Komogllava humbin jetën në aksident në A3 pranë Nittendorfit

Tre anëtarë të një familjeje nga Komogllava humbin jetën në aksident në A3 pranë Nittendorfit

Sipas njoftimit paraprak, tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt humbën jetën në një aksident tragjik në autostradën A3, pranë Nittendorfit në rrethin e Regensburgut, ndërsa po ktheheshin nga Kosova.

Viktimat u identifikuan si Tahir Aliu, 61 vjeç; djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç; dhe Laurenti Aliu, 16 vjeç, djali i Bardhyl Aliut. Të tre humbën jetën si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes.

Sipas raportimit, automjeti doli nga rruga, rrëshqiti poshtë një argjinature dhe ra mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë, ku u ndal në buzë të binarëve. Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë: viktimat mbetën të bllokuara dhe u desh ndërhyrja e një vinçi për nxjerrjen e mjetit. Për shkak të aksidentit u mbyllën për disa orë autostrada A3 në drejtim të Nurembergut dhe linja hekurudhore Regensburg-Nuremberg. Një tren me rreth 80 pasagjerë mbeti pa energji pasi u dëmtua linja ajrore e furnizimit; pasagjerët u evakuuan dhe u transferuan në një tren tjetër, ndërsa treni i bllokuar u tërhoq më pas me lokomotivë me naftë. Policia gjermane ka bërë të ditur se shkaqet mbeten ende të paqarta; sipas hetimeve paraprake, dyshohet se automjeti ishte i vetmi i përfshirë.