Ambasada britanike i bën thirrje politikanëve të zgjidhin mosfunksionimin e Kuvendit
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë i bëri thirrje sot politikanëve që urgjentisht të punojnë së bashku për ta zgjidhur mungesën e funksionalitetit të Kuvendit përmes dialogut paqësor dhe negociatave, për të mirën e popullit dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Në reagim Ambasada vuri në dukje se Kosova ka qenë pa një parlament plotësisht funksional për shumë ditë gjatë dy viteve të fundit. “Parlamenti është zemra e demokracisë,” thuhej në njoftim, ndërsa shtohej se ai e mban qeverinë përgjegjëse dhe mundëson miratimin e legjislacionit.
Reagimi erdhi pasi as sot nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës; Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi emrin e kandidatit për kryekuvendar.
Ambasada kërkoi që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen përmes dialogut dhe negociatave, duke nënvizuar përgjegjësinë e politikanëve ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.