Foto: Bajrami: Çmimet janë rritur 34 për qind, buxheti nuk tregon mirëqenien

Bajrami: Çmimet janë rritur 34 për qind, buxheti nuk tregon mirëqenien

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se çmimet në Kosovë janë rritur rreth 34 për qind nga viti 2021 deri më sot. Ajo tha se kjo rritje ndikon drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve.

Bajrami i bëri këto komente teksa kritikoi mënyrën se si paraqitet rritja e buxhetit dhe e ekonomisë. Sipas saj, rritja nominale e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor nuk pasqyron domosdoshmërisht përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

“Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021”, ka shkruar Bajrami në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale. Ajo ka theksuar se rritja e shifrave në letër nuk duhet të barazohet me rritjen e mirëqenies ekonomike.

Reagimi i saj erdhi pas miratimit nga Qeveria e Kosovës të Projektbuxhetit për vitin 2027, i cili u procedua për shqyrtim në Kuvend. Bajrami ka kritikuar pikërisht dallimin mes shumave nominale dhe gjendjes reale ekonomike të qytetarëve.