Florian Marku paralajmëron rikthimin në ring: “Jam gati”
Florian Marku ka dhënë sinjale të forta për rikthimin në ring, pas një periudhe të gjatë larg ndeshjeve. Boksieri shqiptar ka zbuluar se i është përgjigjur njërës prej telefonatave të shumta që ka marrë, duke shkruar shkurt: “Jam gati”.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Marku ka treguar se i ka munguar atmosfera e boksit, emocionet para përballjeve dhe mbështetja e tifozëve shqiptarë. Ai ka thënë se ka kaluar shumë kohë nga ndeshja e tij e fundit dhe se i ka munguar çdo moment i përgatitjes para hyrjes në ring.
Marku ka përmendur lidhjen e duarve në dhomën e zhveshjes, zhurmën e publikut para daljes në ring dhe çastet para gongut të parë. Sinjalet e tij lënë të kuptohet se rikthimi mund të jetë më afër, ndërsa telefonata së cilës iu përgjigj mund të lidhet me një ndeshje të re.