FSK-ja në Gaza? Zbulohet roli në misionin ndërkombëtar
Kosova është e gatshme të dërgojë trupa në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), ndërsa dislokimi i pjesëtarëve të FSK-së varet nga gatishmëria e kësaj force për t’i pranuar. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Kontributi i Kosovës në këtë mision do të përfshijë një ekip për çminimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese, i njohur si EOD. Në kontingjent parashihet edhe një komandant që do të shërbejë si oficer ndërlidhës, si dhe personel shtesë.
Roli i ekipit EOD do të lidhet me identifikimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese gjatë misionit. Megjithatë, pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së ende lidhet me pranimin e tyre nga Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe me gatishmërinë e saj për dislokim.