Gjini pas vrasjes së Arlindës: Kush do të japë llogari?
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave që kërkojnë ndihmë.
Gjini ka thënë se, nëse rasti kalon pa përgjegjësi, institucionet mbeten “spektatore të krimit”. Përmes një postimi në Facebook, ai ka veçuar një fjali që Arlinda e kishte shkruar në një letër drejtuar Prokurorisë para se të vritej: “Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Kryetari i Gjakovës e ka cilësuar këtë fjali si një testament, duke thënë se Arlinda e kishte kuptuar rrezikun me të cilin po përballej. Reagimi i tij e vendos në qendër të debatit përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e grave që kërkojnë ndihmë.