KB Prishtina sanksionohet nga BAT-i, kufizohet në ndryshimet e ekipit
Problemet nuk po ndalen për KB Prishtinën. Klubi është sanksionuar nga Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), ndërsa vendimi e kufizon në mundësinë për të ndryshuar përbërjen e skuadrës.
Çështja lidhet me regjistrimin në kohë të lojtarëve. Për shkak të vonesës në regjistrime, Prishtina e kishte humbur ndeshjen ndaj Pejës me rezultat zyrtar.
Ndalesa për regjistrimin e lojtarëve ishte hequr në fund të shtatorit, duke i mundësuar klubit të regjistronte lojtarë të rinj dhe të niste garat nga xhiroja e dytë. Megjithatë, klubi tani nuk mund të bëjë ndryshime të reja në ekip pa e zgjidhur çështjen në BAT.
Sipas të dhënave të publikuara, rasti lidhet me një vendim të fituar në BAT nga pala tjetër. Prishtina duhet të arrijë marrëveshje me të nëse dëshiron të regjistrojë ndryshime të reja në skuadër.