Foto: KGJK pezullon nga detyra gjyqtarin e arrestuar Avdirrahman Gashi

KGJK pezullon nga detyra gjyqtarin e arrestuar Avdirrahman Gashi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Avdirrahman Gashi, pas arrestimit të tij nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Vendimi është marrë në mbledhjen e 371-të të KGJK-së, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura. Pas shqyrtimit të rastit disiplinor është themeluar edhe paneli hetimor, ndërsa pezullimi do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Më 15 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar Gashit masën e paraburgimit prej një muaji. Ky vendim ishte konfirmuar më pas edhe nga Gjykata e Apelit. Rasti ndaj tij mbetet nën hetim, ndërsa gjyqtari gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.