Komunat e VV-së bojkotuan protestën, por problemet i ndajnë me të tjerat

Komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje e bojkotuan protestën kundër Qeverisë, por problemet financiare dhe funksionale me të cilat përballen komunat pretendohet se janë të njëjta edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Përplasja mes pushtetit qendror dhe atij lokal është thelluar deri te protesta para Qeverisë nga disa udhëheqës komunalë. Kryetarë të komunave ku udhëheqin PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca akuzojnë ekzekutivin për cenim të kompetencave dhe për probleme me financimin.

Sipas pretendimeve të këtyre kryetarëve, fondet për projektet komunale po vonohen ose po bllokohen, ndërsa komunat po përballen me barrë të madhe financiare për shkak të obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive. Kjo e vendos në qendër të përplasjes jo vetëm pjesëmarrjen në protestë, por edhe funksionimin financiar të pushtetit lokal.