Foto: Lekaj paralajmëron padi ndaj Rizvanollit për pretendimet rreth vagonëve

Lekaj paralajmëron padi ndaj Rizvanollit për pretendimet rreth vagonëve

Ish-ministri Pal Lekaj ka paralajmëruar padi ndaj ministres Artane Rizvanolli, pas pretendimeve që, sipas tij, e lidhin me dhënien e një tenderi për riparimin e vagonëve një kompanie serbe.

Lekaj i ka cilësuar të pavërteta akuzat ndaj tij dhe ka thënë se ato cenojnë rëndë reputacionin e tij. Ai ka paralajmëruar se për këto deklarata do t’u drejtohet organeve të drejtësisë dhe do të kërkojë përgjegjësi ligjore për shpifje.

Si pjesë të arsyetimit të tij, Lekaj ka përmendur kronologjinë e formimit të Qeverisë Haradinaj. Sipas tij, kjo qeveri është votuar më 9 shtator 2017, ndërsa ai zyrtarisht e ka marrë detyrën e ministrit më 11 shtator të po atij viti.

Lekaj ka kundërshtuar kështu pretendimin se ai kishte dhënë tenderin për një kompani serbe, duke argumentuar se dokumenti i përmendur nga Rizvanolli daton më herët se koha kur ai e mori detyrën.