Nga java e ardhshme nis verifikimi i librave në shkolla
Inspektorati i Arsimit do të nisë nga java e ardhshme verifikimin nëpër shkolla për të parë nëse nxënësit janë pajisur me tekste shkollore dhe nëse mjetet e subvencionimit janë përdorur për blerjen e tyre.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka rikujtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë se tekstet dhe materialet shkollore të subvencionuara për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën duhet të ruhen me kujdes.
Sipas njoftimit të ministrisë, librat duhet të kthehen në shkollë në përfundim të vitit mësimor. Nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe kthimin e tyre në gjendje të përshtatshme për ripërdorim.
Ministria ka bërë të ditur se dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës, në përfundim të vitit mësimor. Verifikimi i Inspektoratit do të zhvillohet nëpër shkolla nga java e ardhshme.