Osmani: Të evitohen zgjedhjet dhe të zgjidhet president që mbron Kushtetutën
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet të evitohen zgjedhjet e reja dhe që vendi të pajiset me një president që mbron Kushtetutën.
Ajo shpërndau konferencën për shtyp të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku njoftoi se Lidhja Demokratike e Kosovës tërhiqet nga kërkesat për çdo pozitë shtetërore dhe se partia do të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit të ri pa marrë pjesë në pushtet.
Në një postim në Facebook, Osmani shkroi: “Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kërkon asnjë pozitë e as pjesëmarrje në pushtet, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja dhe t’i jepet vendit president i Republikës që mbron Kushtetutën dhe vendin”.
Osmani tha se mbështetja e saj bazohet në përgjegjësinë ndaj gjeneratave të ardhshme, duke theksuar se përgjegjësia politike matet nga ndërtimi i shtetit që lëmë pas, jo vetëm nga pushteti i fituar.