Personi i zhdukur gjendet pa shenja jete në Zajm të Klinës
Një person që ishte raportuar i zhdukur është gjetur pa shenja jete në fshatin Zajm të Klinës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Sipas të dhënave të bëra publike, një familjar e kishte njoftuar Policinë pasi personi nuk ishte lajmëruar në telefon që nga dita e djeshme. Pas njoftimit, njësitet policore kishin nisur kërkimin për gjetjen e tij.
Personi është gjetur mëngjesin e sotëm në Zajm, por pa shenja jete. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Për rastin janë angazhuar edhe hetuesit rajonalë dhe prokurori i Shtetit, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për procedurat e mëtejshme.