Pesë arrestime në Prishtinë, sekuestrohen kokainë dhe marihuanë
Pesë persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për përfshirje në trafikim me narkotikë, ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar substanca që dyshohet të jenë kokainë dhe marihuanë.
Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi u krye nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prishtinë. Kontrollet u zhvilluan në dy vetura dhe në një banesë që shfrytëzoheshin nga të dyshuarit.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi 52.93 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, si dhe 517.5 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë.
Pesë personat dyshohen për trafikim me lëndë narkotike dhe janë arrestuar në kuadër të aksionit të hetuesve të Antidrogës në Prishtinë.