Policia Rajonale në Gjilan apelon: Mos lini sende me vlerë në vetura për të parandaluar vjedhjet
Sipas njoftimit paraprak, Policia Rajonale në Gjilan apeloi që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve, me qëllim parandalimin e vjedhjeve nga veturat.
Policia u kërkoi qytetarëve të mos lënë çanta, portofola, telefona celularë, llaptopë, tabletë, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë brenda veturës, sidomos në vende të dukshme. Po ashtu, rekomandohet që para largimit nga automjeti të kontrollohet nëse dyert janë të kyçura dhe dritaret të jenë të mbyllura plotësisht.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ftoi qytetarët që të njoftojnë Policinë e Kosovës përmes numrit pa pagesë 192 ose aplikacionit “Lajmëro Policinë” nëse vërejnë persona ose veprime të dyshimta pranë automjeteve ose në parkingje. Policia thekson se shumë raste vjedhjesh ndodhin kur brenda automjeteve lihen sende të dukshme, duke krijuar mundësi për personat keqbërës.