Policia kërkon ndihmë për gjetjen e 78-vjeçarit në Prishtinë
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, 78-vjeçarit që është raportuar i zhdukur në Prishtinë më 2 korrik 2026. Kanë kaluar afro dy muaj nga raportimi, ndërsa ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Rasti është raportuar në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë. Që nga dita e raportimit, njësitet policore të hetimeve, Njësiti për Kërkim-Shpëtim i FSK-së dhe patrullat policore kanë ndërmarrë veprime për gjetjen e tij, në koordinim me Prokurorinë dhe në bashkëpunim me familjarët.
Gjatë kërkimeve janë intervistuar persona që mund të kenë informacione për vendndodhjen e Raqit, ndërsa janë kontrolluar edhe hyrje-daljet në pikat kufitare. Po ashtu, janë zhvilluar kërkime në zona që ai i frekuentonte zakonisht dhe është analizuar çdo informacion që mund të lidhet me rastin.
Pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e Xhafer Raqit.