Taibe Jashari kërkon katër pensione të papaguara në Kushtetuese
Rasti i pensionistes Taibe Jashari ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, pasi institucionet ia refuzuan kërkesën për kompensimin e katër pensioneve të papaguara. Pagesat i ishin ndërprerë pasi ajo nuk ishte paraqitur për lajmërim periodik në zyrat kompetente.
Sipas rastit KI288/25, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fillimisht ia kishte pezulluar, e më pas ia kishte ndërprerë Jasharit pensionin bazik të moshës. Shkak ishte mosrespektimi i detyrimit për paraqitje çdo gjashtë muaj.
Ky detyrim përcaktohet në Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015. Pas paraqitjes së mëvonshme në institucionet kompetente, Jasharit iu miratua riaplikimi dhe pensioni iu rikthye nga data e riaplikimit.
Megjithatë, kërkesa e saj për kompensimin retroaktiv të katër pensioneve të papaguara gjatë periudhës së pezullimit u refuzua nga institucionet. E pakënaqur me këtë vendim, pensionistja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.