Zjarr në Krujë, Bashkia urdhëron evakuim të menjëhershëm në Barabit-Lluban
Sipas njoftimit paraprak, Bashkia Krujë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës Barabit-Lluban për shkak të një zjarri në zonë.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Prefekturën e Qarkut Durrës. Strukturat e emergjencës, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për të realizuar evakuimin dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Bashkia Krujë do të garantojë strehimin e përkohshëm dhe asistencën e nevojshme për të evakuuarit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës dhe të bashkëpunojnë gjatë gjithë procesit.