Zjarr i përmasave të mëdha përfshin Penkovën, digjen disa automjete
Rreth mesditës së të mërkurës, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu fshatin Penkovë, në Bashkinë e Selenicës. Si pasojë u dogjën disa automjete.
Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke krijuar një situatë të vështirë për forcat zjarrfikëse. Në momentet e para vënia nën kontroll ishte pothuajse e pamundur, pasi Bashkia e Selenicës disponon vetëm një automjet zjarrfikës.
Në ndihmë mbërritën ekipet zjarrfikëse nga Vlora dhe Himarë; ato punuan për disa orë për të lokalizuar vatrat. Puna në terren vijoi deri në shuarjen e plotë të vatrave aktive. Arqile Kokalli, shef i Emergjencave Civile pranë Bashkisë së Selenicës, deklaroi se ndërhyrja e përbashkët e zjarrfikësve bëri të mundur lokalizimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme.
Raportohet se nuk pati persona të lënduar; dëmet janë materiale dhe përfshijnë automjete të dëmtuara nga zjarri.
Shkaqet mbeten ende të paqarta dhe pritet që të zbardhen nga hetimet e institucioneve përgjegjëse.