18 kandidatë përjashtohen nga Matura pasi u kapën me telefona
Provimi i dytë i Maturës Shtetërore është mbajtur sot në Kosovë, ndërsa 18 kandidatë janë përjashtuar pasi u kapën me telefona gjatë testimit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, provimi është organizuar në 55 qendra testimi në të gjithë territorin e Kosovës. Procesi ka nisur në orën 10:00, sipas planifikimit dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e testit.
Për këtë afat kanë aplikuar gjithsej 5 mijë e 33 kandidatë përmes platformës eKosova. Pas shqyrtimit dhe verifikimit të aplikimeve, janë aprovuar 4 mijë e 967 kandidatë.
Gjatë testimit, 18 kandidatë janë përjashtuar për shkak të posedimit të telefonave, në kundërshtim me rregullat për mbarëvajtjen dhe administrimin e Provimit të Maturës Shtetërore.