19-vjeçari në Ferizaj kapet duke vozitur 138 km/h në zonë ku lejohet 50
Një 19-vjeçar është kapur duke vozitur me 138 km/h në fshatin Lloshkobare të Ferizajt, në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 50 km/h.
Sipas Policisë, zyrtarët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë kontrolleve të shtuara në trafik, ndaluan shoferin A.B., i cili drejtonte një automjet VW Golf me ngjyrë të zezë dhe targa vendore. Shpejtësia prej 138 km/h u regjistrua me radar të veturës së Policisë.
Për këtë shkelje ndaj tij janë shqiptuar 300 euro gjobë, tri pikë negative si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për tre muaj. Policia Rajonale e Ferizajt njofton se do të vazhdojë kontrollet e intensifikuara në trafik për rritjen e sigurisë rrugore.