31 të arrestuar në Tiranë për shitje droge pranë shkollave
Një operacion antidrogë në Tiranë ka çuar në arrestimin e 31 personave dhe shpalljen në kërkim të 14 të tjerëve, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Operacioni, i koduar “Shkolla të Pastra”, është finalizuar pas katër muajsh hetime. Gjatë kësaj procedure janë identifikuar gjithsej 52 persona të dyshuar si pjesë e disa grupeve që merreshin me shitjen e drogës.
Aksioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar masat e sigurisë ndaj 31 personave, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.