Foto: Resorti “Mesopotam Agroturizëm” në Sarandë bëhet shkrumb e hi

Resorti “Mesopotam Agroturizëm” në Sarandë bëhet shkrumb e hi

Pas zjarrit të mbrëmshëm në një hotel në Vlorë, mëngjesin e së dielës flakët kanë përfshirë resortin “Mesopotam Agroturizëm” në rrugën Sarandë-Syri i Kaltër, i cili sipas raportimeve është bërë shkrumb e hi.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 05:30 dhe flakët përhapën shpejt në ambientet e kompleksit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe djegien e plotë të strukturës.

Për momentin nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet lokale dhe ekipet zjarrfikëse që mbërritën në vend po kryejnë verifikimet e para, ndërsa pritet që hetimet në vendngjarje të përcaktojnë shkaqet e zjarrit.

Ky resort konsiderohej një prej investimeve më të rëndësishme turistike të realizuara vitet e fundit në zonën e Sarandës, dhe dëmet materiale pritet të jenë të mëdha. Hetimet do të japin detaje më të qarta në orët dhe ditët në vijim.