Një muaj para aktgjykimit në Hagë, Bajrami: UÇK-ja luftoi për liri
Një muaj para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, profesori i së drejtës kushtetuese Arsim Bajrami deklaroi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë e Kosovës.
Bajrami reagoi përmes një postimi duke vlerësuar se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka rëndësi të jashtëzakonshme juridike, politike dhe historike për Kosovën.
Ai poashtu shprehu shqetësime lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e zhvillimit të gjykimit. “Si profesor i së drejtës kushtetuese dhe jurist, besoj se ky proces ka qenë në kundërshtim me standardet më të larta të shtetit të së drejtës, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të parimeve universale të një gjykimi të drejtë”, shkroi Bajrami.
Aktgjykimi në Hagë pritet të shpallet brenda një muaji. Deklarata e Bajramit erdhi në prag të këtij vendimi.