Hamza: 16 shtatori duhet të mbyllë kapitullin, pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shkruar në Facebook se kanë mbetur edhe 30 ditë deri më 16 shtator, datë që, sipas tij, duhet të shënojë përfundimin e procesit gjashtëvjeçar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.

Hamza ka theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar gjashtë vite në paraburgim, larg familjeve dhe Kosovës, duke e përshkruar këtë periudhë si një “kapitull të dhimbshëm”.

Ai shkruan se pritshmëritë dhe kërkesat janë të qarta: drejtësi dhe lirim, dhe se 16 shtatori duhet të jetë dita kur, sipas tij, katër udhëheqësit kthehen në shtëpi.

Mesazhi i Hamzës vjen rreth një muaj para datës që ai e konsideron vendimtare; në postimin e tij ai përfundon me fjalët: “Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi.”