KEK nënshkruan kontratë 73.2 milionë euro për qymyr, garanton furnizim 36 muaj
KEK Sh.A. njofton se ka nënshkruar një kontratë për shitjen e qymyrit me JSC ESM, një marrëveshje që, sipas korporatës, shënon një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas KEK, vlera e përgjithshme e kontratës, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro. Një nga elementet kyçe është çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë periudhës 36-mujore të marrëveshjes.
KEK e përshkruan marrëveshjen si një marrëveshje strategjike trevjeçare, rezultat i një procesi të përbashkët dhe të mbështetur në interesin reciprok. Korporata tha se nënshkrimi i kontratës është “nder i veçantë” dhe tregues i bashkëpunimit rajonal në sektorin energjetik.
Në njoftim thuhet se kjo marrëveshje synon të krijojë zgjidhje të qëndrueshme për sektorët energjetikë të të dyja vendeve dhe të siguronte furnizim të qëndrueshëm për periudhën e kontratës.