Foto: Operacion i rrallë në QKUK: hoqën tumor 3.5 kg nga kraharori i një 23-vjeçari

Operacion i rrallë në QKUK: hoqën tumor 3.5 kg nga kraharori i një 23-vjeçari

Në një ndërhyrje të rrallë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, kirurgët hoqën me sukses një tumor gjigant 3.5 kilogramësh nga kraharori i një pacienti 23-vjeçar.

Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), tumori peshonte 3.5 kilogramë dhe përmasat e tij ishin rreth 27 centimetra në gjatësi dhe 17 centimetra në gjerësi, çka e bëri operacionin teknikisht shumë sfidues për shkak të lokalizimit dhe madhësisë.

Operacioni u realizua nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale nën udhëheqjen e drejtorit të klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci, në bashkëpunim me ekipin e anestezionit të udhëhequr nga Dr. Qendrim Morina, si dhe me instrumentarë dhe infermierë.

SHSKUK e ka cilësuar ndërhyrjen si të rrallë dhe jashtëzakonisht komplekse; operacioni u përmbyll me sukses, sipas raportimit të institucioneve shëndetësore që e ndjekën rastin.