Foto: Tri ferizajase të lënduara në Vlorë, gjendja shëndetësore po përmirësohet

Tri ferizajase të lënduara në Vlorë, gjendja shëndetësore po përmirësohet

Tri ferizajase u lënduan nga zjarri që përfshiu një hotel në Vlorë, dhe Komuna e Ferizajt bën me dije se gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet. Nënkryetari i komunës, Lulzim Aliu, ka vizituar disa nga të lënduarat në institutet shëndetësore në Tiranë.

Aliu ka takuar Erëza Grainçën, e cila po trajtohet në repartin e djegieve plastike në Spitalin “Nënë Tereza”. Ai tha se së bashku me drejtorin e Administratës kishte tentuar të vizitonte edhe motrat Arlinda dhe Nderime Rexhepi, por vizita nuk u realizua për shkak të gjendjes së tyre dhe rregullave të kujdesit intensiv.

Sipas njoftimit të komunës, motrat Rexhepi kanë kaluar krizën e rëndë shëndetësore dhe tashmë gjendja e tyre është në përmirësim. Të dyja janë të shtruara në repartin intensiv të Spitalit Ushtarak të Traumës, ku po marrin trajtim të specializuar.

Gjatë vizitës, nënkryetari Aliu u përcolli të lënduarave urimet për shërim të shpejtë në emër të kryetarit të Komunës, ndërsa institucionet lokale falënderuan stafin mjekësor për përkushtimin në trajtim.