Kosovar arrestohet në Krasovici, i kërkuar nga Interpoli; OVL: nuk është veteran i UÇK-së
Një 49-vjeçar nga Kosova u arrestua sot në pikën kufitare Krasovici, në kufirin Kroaci-Mali i Zi, pasi rezultonte i kërkuar nga Interpoli mbi bazën e një fletarresti të lëshuar nga Serbia.
Sipas raportimeve të mediave kroate, i njëjti person akuzohet për krime të luftës; autoritetet kroate kryen arrestimin pas verifikimeve të dokumenteve ndërkombëtare të kërkimit.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, deklaroi se bazuar në verifikimet e tij fillestare personi nuk figuron në listat e veteranëve të zonës së Nerodimës dhe as në listat e zonës së Kosharës. “Pra, 99% ky nuk është veteran, nuk ka përfituar çertifikatë të veteranit”, tha Syla.
Rastet e këtilla do të ndiqen nga autoritetet përkatëse dhe OVL UÇK njoftoi se do të vazhdojë verifikimet lidhur me identitetin dhe pretendimet e ngritura për personin e arrestuar.