Zjarr i madh pranë Varrezave të Qytetit, disa shtëpi ishin në rrezik: Komuna apelon
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka njoftuar se pasditen e sotme shpërtheu një zjarr i madh në fushat pranë Varrezave të Qytetit, i cili rrezikoi disa shtëpi në zonën përreth.
Sipas Drejtorisë, zjarri u shkaktua nga djegia e hamulloreve dhe përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar dëme materiale në parcela bujqësore, pemishte dhe objekte përcjellëse.
Falë reagimit të shpejtë të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, zjarri u lokalizua dhe u parandalu dhe përhapja drejt banesave të tjera u minimizua, njofton Komuna.
Drejtoria apelon te qytetarët që të mos ndezin hamullore, barishte apo mbetje në hapësira të hapura, duke paralajmëruar se një pakujdesi e tillë mund të shkaktojë dëme të mëdha.
Autoritetet thonë se hetimet për shkaqet e plota dhe vlerësimi i dëmeve materiale do të vazhdojnë, ndërsa banorët në zonë paralajmërohen të jenë vigjilentë.