KEK formon task forcë për sigurinë industriale pas vdekjes së punëtorëve
KEK Sh.A. ka formuar një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë pas vdekjes së punëtorëve, një vendim i marrë në një takim të jashtëzakonshëm të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit. Ky hap synon rishikimin e menjëhershëm të praktikave që lidhen me sigurinë në punë.
Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti kanë vendosur që në përbërjen e Task Forcës të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës, për të siguruar vlerësim të pavarur të situatës dhe rekomandime profesionale.
Detyra kryesore e Task Forcës do të jetë të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë në punë, sipas vendimit të marrë në takim.
Bordi ka kërkuar gjithashtu që, në kuadër të masave konkrete, të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë.