NATO flet pas letrës së Vuçiqit: kërkohet ndalimi i tërheqjes së KFOR nga ura në Mitrovicë
NATO flet pas letrës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërgoi më 20 gusht sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte. Në letrën e tij Vuçiq kërkon që KFOR-i të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në dokumentin që ai vetë bëri publik, Vuçiq kërkon, sipas tij, që KFOR-i të ndalë “terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”.
Lidhur me letrën, një zyrtar i NATO-s tha se Rutte është në kontakt të rregullt me Vuçiqin dhe se KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë.