Arrestohet nga FBI një 35-vjeçare e dyshuar për plan sulmi me bombë në Kapitolin e Nju Jorkut
Një 35-vjeçare nga Albany, Nju Jork, u arrestua nga FBI-ja dhe akuzohet se kishte planifikuar një sulm me bombë ndaj Kapitolit të Shtetit të Nju Jorkut, me synim vrasjen e ligjvënësve, njoftojnë autoritetet.
Sipas autoriteteve amerikane, e dyshuara, identifikuar në akuzë si Jessica Bowie, përballet gjithashtu me akuzën për tentativë për të ofruar mbështetje materiale për organizatën ISIS, dhe kishte shprehur besnikëri ndaj saj gjatë hetimeve.
Hetuesit thonë se Bowie kishte diskutuar me një informator të FBI-së mënyra për të fshehur një pajisje shpërthyese në një çantë shpërndarjeje ushqimesh dhe kishte nisur të monitoronte ndërtesën dhe zonën përreth Kapitolit.
Raporti i hetimit përmend se nga 21 korriku deri më 9 gusht ajo dyshohet se vizitoi rreth pesë herë zonën, duke fotografuar dhe vëzhguar masat e sigurisë. Çështja tani do të ndiqet nëpërmjet sistemit të drejtësisë federale.