Foto: Aksion në Deçan: pesë të ndaluar për bixhoz dhe skema piramidale

Aksion në Deçan: pesë të ndaluar për bixhoz dhe skema piramidale

Pesë persona janë ndaluar në Deçan pas një aksioni të ndërmarrë mbrëmë nga Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Stacionin Policor në Deçan.

Prokuroria thotë se të ndaluarit dyshohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm. Gjatë kontrollit të lokalit u gjetën dhe sekuestruan përkohësisht letra/karta të lojës, pesë telefona mobilë dhe para të gatshme në shumën prej 1,615 euro.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmarrë veprimet procedurale të nevojshme, përfshirë kërkesën për caktimin e masave ndaluese.

Hetimet ndaj personave të ndaluar dhe shqyrtimi i provave materialë vazhdojnë, ndërsa autoritetet thonë se do të informojnë për veprimet e mëtejshme procedurale brenda afateve ligjore.